Një fitore historike e Donald Trump mund të çojë në një ndërprerje të ndihmave ushtarake për Ukrainën. Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka deklaruar se Ukraina e ka humbur tashmë luftën kundër agresionit rus dhe se presidenti i zgjedhur amerikan do të bëjë çdo gjë për të ndalur mbështetjen kundrejt Kievit.
“Amerikanët do të largohen nga kjo luftë. Para së gjithash ata nuk do ta inkurajojnë luftën. Ata nuk do të thonë se lufta është një gjë e mirë. Njerëzit thonë shumë gjëra për Donald Trump, edhe ata që nuk e duan atë, por askush nuk dyshon për një gjë që është se ai nuk do të fillojë një luftë. Evropa nuk mund ta financojë e vetme këtë luftë”.
Duke folur në radion shtetërore Orban përsëriti qëndrimin e tij se duhet të shpallet armëpushim i menjëhershëm. Por një gjë të tillë presidenti ukrainas Volodomyr Zelenskiy e ka cilësuar jo realiste. Ai u bëri thirrje udhëheqësve evropianë që të aplikojnë një qasje të “paqes përmes forcës”.
“Koncepti i paqes përmes forcës e ka dëshmuar realizmin dhe efektivitetin e tij më shumë se një herë. Çfarë është më tej? A duhet Evropa të kërkojë favorin e Kim Jong Un me shpresën se edhe ai do të largohet nga Evropa në paqe? Jo. Lideri i fortë që ndihmon në ndërtimin e një Evrope të bashkuar, të fortë dhe paqësore as që do ta imagjinonte ta bënte këtë. Ne kemi nevojë për armë të mjaftueshme, jo mbështetje në bisedime”.
Ardhja e Donald Trumpit në pushtet do të shtojë presionin jo vetëm mbi Ukrainën për ta detyruar në negociojë paqen me Rusinë, por edhe drejtpërdrejt mbi Putinin. E ardhmja e ndihmës së Ukrainës është ndër çështjet kryesore me të cilat përballet BE-ja pas fitores së Trump, me rajonin që po përpiqet të vendosë një front të bashkuar dhe dy fuqitë e tij më të mëdha, Gjermaninë qeveria e së cilës sapo u shpërbë dhe Francën, të dobësuar politikisht.
Klan News