Izraeli dhe Hamasi po shqyrtojnë variantin përfundimtar të marrëveshjes së armëpushimit që synon t’i japë fund luftës në Gaza, tha një zyrtar i informuar mbi negociatat pas “përparimit” të fundit mes palëve.
Zyrtari tha se teksti për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve u paraqit nga Katari, në bisedime janë përfshirë dhe shefat e agjencive të zbulimit të Izraelit, Mossad dhe Shin Bet, si dhe Kryeministri i Katarit.
Në bisedime mori pjesë edhe Steve Witkoff, i cili do të bëhet i dërguari i SHBA-së për Lindjen e Mesme pas ardhjes së Presidentit Trump në pushtet si dhe i dërguari i Bidenit, Brett McGurk.
“24 orët e ardhshme do të jenë thelbësore për arritjen e marrëveshjes“, tha zyrtari, duke e karakterizuar variantin përfundimtar si rezultat të punës së bërë në orët e para të së hënës.
Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani, priti një delegacion të Hamasit të kryesuar nga Khalilal-Hayya për të diskutuar rreth armëpushimit.
Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar tha se negociatat po koordinohen nga ekipet e Bidenit dhe Trumpit. Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti kanë punuar për më shumë se një vit për t’i dhënë fund luftës në Gaza, por deri më tani pa rezultat.
Kanali 12 i Izraelit raportoi se institucioneve qeveritare izraelite u është thënë të përgatiten për marrjen e pengjeve të dobët dhe të sëmurë.
Në Izrael, njeriu që po mban peng marrëveshjen është ministri i Financave, Bezalel Smotrich. Anëtarë të zemëruar të disa prej familjeve të pengjeve debatuan ashpër me ministrin ekstremist.
Smotrich e përshkroi marrëveshjen që po merr formë si “një katastrofë” për sigurinë e Izraelit. Ndërsa Hamasi gjatë këtyre negociatave ka këmbëngulur gjithmonë se marrëveshja duhet t’i japë fund luftës dhe tërheqjen e Izraelit nga Gaza, ndërsa Izraeli synon të krijojë një zonë tampon për të shmangur sulmet në të ardhmen.
Marrëveshja do të shpallet para inaugurimit të Presidentit Trump më 20 Janar. Biden foli gjithashtu të dielën në telefon me Netanyahun, duke theksuar “nevojën e menjëhershme për një armëpushim në Gaza dhe kthimin e pengjeve “, tha Shtëpia e Bardhë.
Pavarësisht negociatave, numri i viktimave në Gaza rritet. Këto skena ndoshta të fundit të luftës u regjistruan pranë spitalit Baptist Al-Ahli pas sulmeve izraelite.
Klan News