Lëvizja islamike palestineze Hamas përsëriti në një deklaratë të lëshuar herët të enjten, se nuk ka nevojë të hartohet dhe të dorëzohet një propozim i ri për një marrëveshje armëpushimi me Izraelin në Rripin e Gazës.
Ajo bëri thirrje për presion ndaj qeverisë izraelite për të pranuar zbatimin e një propozimi të paraqitur nga presidenti amerikan, Joe Biden, në fund të Majit dhe të cilin ajo njoftoi se e pranon më 2 Korrik.
Sipas burimeve të agjencisë së lajmeve Reuters, qeveria amerikane po punon për të paraqitur një propozim të ri për të thyer ngërçin në negociatat indirekte.
Ky propozim do të synojë të kapërcejë të gjitha pengesat në negociatat e deritanishme, për t’i dhënë fund luftës që filloi me sulmin e Hamasit kundër Izraelit më 7 Tetor 2023.
Hamasi këmbënguli në tekst se Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po kërkon të shkatërrojë shanset për një marrëveshje duke këmbëngulur se forcat e armatosura të Izraelit nuk do të tërhiqen nga i ashtuquajturi Korridor i Filadelfias, në kufirin jugor të Rripit të Gazës me Egjiptin.
Të mërkurën mbrëma, Netanyahu bëri të ditur se Izraeli do të pajtohet vetëm me një armëpushim të përhershëm që garanton se zona kufitare midis Gazës jugore dhe Egjiptit nuk mund të përdoret kurrë si një mjet shpëtimi për lëvizjen islamike Hamas.
Ndërkohë që përpjekjet për një marrëveshje vazhdojnë, në terren bilanci i sulmeve izraelite vijon të rëndohet.
Të paktën gjashtë palestinezë u vranë dhe tre u plagosën në bombardimin izraelit ndaj një automjeti në Bregu Perëndimor.
Që nga nisja e konfliktit në Tetorin e shkuar, si pasojë e sulmeve izraelite janë vrarë afro 41 mijë palestinezë.
Tv Klan