Edhe sot është gjetur një cep rruge për të varrosur ata që kanë ndërruar jetë në kryeqytet, por nga e hëna kjo mundësi nuk ekziston me.
“Duke filluar nga dita e hënë, shërbimi funeral i Bashkisë së qytetit nuk do të jetë e mundur më të ofrohet…” deklaroi një ditë më parë nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eno Bozdo.
Një deklaratë e tillë nuk është dëgjuar ndonjëherë. Paralajmërimi se kryeqyteti nuk ka më vend ku të varrosë ata që ndërrojnë jetë ka shqetësuar qytetarët.
Ja si shpehet një qytetar: “Nuk e gjykoj mirë, njerëzit kanë lind e do vdesin, ata do të varrosen diku. Normale nuk është. Bashkia le të bëjë luftë me Partinë Socialiste dhe Partia Socialiste me Bashkinë por e kanë gabim të dy palët, qeveria i ka të gjitha në dorë, mirë nuk është”.
Konflikti politik mes qeverisë dhe Bashkisë, që ka degraduar deri në këtë pikë, i bën qyetarët që të ironizojnë këtë situatë kaq dramatike, duke u shprehur se “tashmë nuk duhet as të vdesësh”.
Hapësirat për varre në dy varrezat publike të kryeqytetit, atë të Tufinës dhe Sharrës, kanë përfunduar plotësisht. Varrimet aktualisht po kryhen ku të munden, në rrugica, ndonjëherë do të duhet të priten edhe pemët, ndërsa nënktyrtari i Bashkisë ka deklaruar se të hënë do tu vihet kyçi përfundimisht të dy varrezave publike të kryeqytetit sepse nuk ka më asnjë mundësi për të krijuar hapësira të reja. Ende nuk ka lëvizur asgjë, ende nuk ka një përgjigje dhe kjo shton ankthin e kryeqytetasëve. Ku do të varrosen pas të hënës?
TV KLAN