Donald Trump nuk e përjashton mundësinë që Shqipëria të jetë një nga vendet që do të strehojnë palestinezët e Rripit të Gazës, që do të shpërngulen nga shtëpitë e tyre sipas planit të tij për rindërtimin e këtij territori, ndonëse kryeministri Edi Rama e ka përjashtuar si mundësi.

-A do të merrni në konsideratë vende të tjera, veç Egjiptit dhe Jordanisë? Është folur për Indonezinë, Shqipërinë, e vende të tjerë?

“Po sigurisht. Kemi vende të tjera që duan të përfshihen. Kemi shumë njerëz që duan të përfshihen. Ka një ndjeshmëri të madhe për të ofruar ndihmë për palestinezët. Ka shumë vende të mira atje, njerëz me zemër të madhe që qeverisin këto vende”.

Deklaratën, Trump e bëri në krah të Mbretit Abdullah të Jordanisë, të cilit gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë i parashtroi planin e marrjes nën kontroll të Rripit të Gazës nga Shtetet e Bashkuara, me qëllim rindërtimin pas shkatërrimit nga lufta më shumë se 1-vjeçare e Izraelit kundër Hamasit dhe shndërrimin e këtij territori në një mrekulli ekonomike

“Do ta kemi ne, do ta bëjmë të lulëzojë e të krijojë shumë vende të reja pune dhe paqe për Lindjen e Mesme. Besoj se do të ketë një copë tokë në Jordani dhe Egjipt për banorët e Gazës për të jetuar të lumtur e të sigurtë. Nuk dua të kërcënoj me paratë, pasi kontribuojmë me shumë para për Jordaninë dhe Egjiptin”.

Trump sërish nuk qartësoi afatin e shpërnguljes së tyre, ndërsa largimi i përhershëm i tyre është kundërshtuar deri më tani nga Jordania, Egjipti, vendet arabe dhe nga mbarë bota.

Tv Klan