“Tirana Moons” apo “Hënat e Tiranës”, është instalacioni që shumë shpejt do ta shohim në Sheshin Nënë Tereza. Në aktivitetin për rijetëzimin e këtij sheshi nga Bashkia e Tiranës, Kryeministri Edi Rama tha se për projektin kishte biseduar më herët edhe me kryebashkiakun Veliaj dhe vuri theksin tek fakti që struktura është e lëvizshme dhe miqësore me mjedisin.
“Tani disa konsiderata që i kam ndarë edhe me Erionin… Nuk është një ndërtim me një impakt mbi strukturën e sheshit, është një instalim i jetueshëm, miqësor me mjedisin. Në një kohë të shkurtër projekti do realizohet. Mjedise familjare ku kryesisht atraksioni do të jetë në funksion të fëmijëve”, tha Rama.
Pjesë e rijetëzimit të Sheshit “Nënë Tereza” është menduar edhe një vepër e ngjashme si kjo në Venecia.
“Duart e Nënë Terezës në shesh…”
Rama foli edhe për të tjera projekte të arkitektëve të njohur që janë në zhvillim e sipër për Tiranën, e mes tyre edhe transformimi i Pallatit të Kongreseve.
“Janë në zhvillim e sipër të tjera projekte të arkitektëve shumë të njohur, korporata shqiptare e investimeve do të shpallë konkursin për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve”, tha Rama.
Nisur nga këto zhvillime, Tirana do të mbështetet me më shumë hapësira parkimesh nëntokësore.
“Do ecim edhe me një program të ri për një infrastrukturë parkimesh, një tjetër atraksion për Shqipërinë”, tha Rama.
Sipas Kryeministrit, kjo do të jetë periudha e dytë e historisë së Tiranës kryeqytet që do të hyjë në radhën e parë të qyteteve të Europës për arsye të një armate arkitektesh.
“Ky do jetë kryeqyteti më i jashtëzakonshëm i rajonit, po dhe një ndër qytetet më tërheqës të Europës. Do të ketë një impakt të ngjashëm me atë të Guggenheim, Bilbao”, tha Rama.
Projekti “Tirana Moons” është realizuar në bashkëpunim me arkitektin austriak Chris Precht kap vlerën e 39 milion lekëve.
“Siç thotë Erion Veliaj që e ka mësuar nga unë, ditët më të mira janë të gjitha përpara”, tha Rama.
Tv Klan