Papa Françesku ka kritikuar sërish fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza, duke e quajtur situatën humanitare në enklavën palestineze “shumë serioze dhe të turpshme”.

Në një fjalim vjetor drejtuar diplomatëve, Ati i Shenjtë në fjalimin e tij që u lexua nga ndihmësi për shkak të gjendjes shëndetësore, iu referua vdekjeve të shkaktuara nga i ftohti në Gaza, ku pothuajse nuk ka energji elektrike.

“Ne nuk mund të pranojmë në asnjë mënyrë bombardimin e civilëve. Nuk mund të pranojmë që fëmijët të ngrijnë deri në vdekje sepse spitalet janë shkatërruar ose rrjeti energjetik i një vendi është goditur. Lufta është gjithmonë një dështim. Shkatërrimi i infrastrukturave nuk është vetëm një katastrofë, por në thelb do të thotë se e keqja del si fituese”, tha Imzot Filippo Ciampanelli.

Ambasadori i Izraelit në Selinë e Shenjtë ishte mes të pranishmëve në këtë ngjarje. Papa Françesku, kohët e fundit ka deklaruar se është kundër luftës së Izraelit me Hamasin dhe ka kërkuar që komuniteti global duhet të hetojë nëse ofensiva përbën një gjenocid të popullit palestinez.

Ndërkaq bombardimet vijojnë në enklavë. Forcat izraelite kanë vrarë të paktën 50 palestinezë në të gjithë Rripin e Gazës.

Klan News