Prej disa javësh bota po pret të shikojë se cila do të jetë përgjigjia e Izraelit ndaj Iranit pas sulmit me raketa.

Situata në Lindjen e Mesme është delikate dhe kjo varet më së shumti edhe nga veprimet ushtarake të Izraelit.

Teksa Tel Avivi e ka siguruar SHBA-në se nuk do të godasë vendet bërthamore të Iranit, një paralajmërim vjen nga ministri izraelit i Mbrojtjes.

Yoav Gallant ka thënë se sulmet ajrore që Izraeli ka planifikuar ndaj Iranit do të bëjnë botën të kuptojë fuqinë e vërtetë të ushtrisë izraelite.

“Pasi të sulmojmë në Iran, të gjithë do ta mësojnë se çfarë përgatitje keni”, ju tha ministri Gallant pilotëve gjatë një vizite në bazën ajrore Hatzerim.

Në bisedën time me pilotët theksova se pasi të sulmojmë Iranin, të gjithë do ta kuptojnë fuqinë tonë dhe çdo armik që do të përpiqet të dëmtojë shtetin e Izraelit do të paguajë një çmim të rëndë”, shkroi në rrjetin social X ministri i Mbrojtjes pas takimit me ekuipazhin e forcës ajrore.

Presidenti amerikan Joe Biden i ka kërkuar Izraelit që në Iran të mos godasin infrastrukturën e industrisë së naftës apo lokacionet bërthamore.

Izraeli e ka siguruar Presidentin Biden se nuk do t’i godasë këto dy objektiva, megjithatë kjo mbetet për t’u parë.

Ndërkohë, ushtria izraelite po lufton në disa fronte paralelisht.

/tvklan.al