Paralajmërimet e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se vendi rrezikohet që të këtë sulme terroriste para dhe pas Vitit të Ri, janë të bazuara në informacionet që kanë institucionet e sigurisë në vend.
Kështu u shpreh njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, sipas të cilit, sulmet që mund të ndodhin në vend janë të determinuara nga proceset e caktuar politike në Kosovë, duke e lidhur këtë edhe me vendimin e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mos certifikimin e Listës Serbe si subjekt politik.
“Ne e dimë që pjesa veriore është në vazhdën e sulmeve të vazhdueshme nga ana e strukturave paralele të mbështetura nga Beogradi zyrtar. A mund të kemi sulme, tani me çështjet politike e determinojnë edhe procese të caktuara në kontekste të sigurisë”, u shpreh Drizan Shala.
Shala ka thënë se sulmet nga strukturat kriminale dhe terroriste mund të jenë potencial i vazhdueshëm.
“Sulmet mund të jenë potencial i vazhdueshëm me qenë se tani terreni politik është i kontaminuar në kontekstin e veprimeve të caktuara nga ana e mekanizmave vendor të Kosovës dhe këtë gjë do ta shfrytëzoj pa dyshim në bazë të rrethanave edhe strukturat kriminale dhe terroriste të mbështetura nga Beogradi meqënëse kemi një tension edhe në pjesën e Beogradit për çështje të ndryshme. Mund të përdoret ky momentum, që ky akumulim i tensioneve të jetë në pjesa veriore si fushë e qitjes të cilën mund të bëjë veç Beogradi”.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së që vjen nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, nuk deshi të komentojë rreth paralajmërimeve të Kryeministrit.
Ndërkaq, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, shkruan se me këto paralajmërime, Kryeministri po ngjall pasiguri të qytetarët.
“Pra, mantra e vetme operuese e kësaj kaste udhëheqësish është mbjellja e pasigurisë, paparashikueshmërisë, dhe frikës. Turp kryeministër. Keni ardhur në detyrë me mandat të fuqishëm për të zgjidhur probleme, jo për t’u bërë fallxhor”, u shpreh Çitaku.
Kryeministri paralajmëroi sulme të tjera në veri të vendit, veçmas para dhe pas Vitit të Ri.
Tv Klan