Gjithkush mund të mendojë se jemi akoma në muajt e pranverës apo verës për shkak të motit të ngrohtë të këtyre ditëve, por parashikimet flasin se duke filluar nga dita e martë temperaturat do të bien me 4 gradë celsius dhe kjo rënie do të jetë e vazhdueshme duke bërë që në javën që vjen të kemi mot dimëror.
Sipas shërbimit Meteoalb krahas rënies së temperaturave të dielën priten edhe reshjet e para të dëborës.
Tanja Porja: “Zyrtarisht do thoshim që dimri fillon javën që vjen, por që këtë javë do ndihen temperaturat e ulëta në mëngjes dhe në mesditë. Pritet rënie e temperaturave. Ka filluar që sot me tre gradë rënia në mëngjes, një tjetër rënie prej 3-4 gradësh pritet dhe nesër në mëngjes. Rënia maksimale pritet të dielën, po ashtu edhe të hënën. Sot pasdite jugu është i prekur nga reshjet, edhe nesër pasdite më tepër. Përsa i përket veriut dhe qendrës mundësitë janë më të pakta për reshje. Për këtë fundjavë shpresojmë që të kemi edhe reshjet e para të dëborës në zonat malore”.
Sipas shërbimit Meteoalb temperaturat që na kanë shoqëruar gjatë muajve Shtator, Tetor dhe javët e para të Nëntorit nuk ishin karakteristike të stinës, ndërsa për ditët në vijim mund të themi se dimri erdhi./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami