Politikani Astrit Patozi, koordinator i Bindjes Demokratike gjatë emisionit “Zonë e Lirë” në Tv Klan foli edhe për tërheqjen e kandidatëve të saj për kryetar bashkie. Sipas Patozit dy prej kandidatëve janë dorëhequr dhe dy të tjerë i kanë hequr.
Ai shtoi më tej se kandidati i Skraparit, i cili ishte i pari që u tërhoq është kërcënuar nga PS, pasi këta të fundit kishin frikë se mos Bindja Demokratike fitonte bashkinë. Lidhur me largimin e kandidatëve nga Partia, koordinatori i partisë kërkoi ndjesë duke thënë: “Më falni që disa prej tyre nuk patën këllqe dhe u tërhoqën”.
“Fakti që kjo ndodh me kandidatët e Bindjes Demokratike, ndodh nga të dy krahët sepse ne kemi pasur presion nga të dy krahët, edhe nga Rama edhe nga Basha. Kandidati i parë që na ra ishte i Skraparit, e intimiduan dhe e hoqën. PS nuk donte që të kishte ferra nëpër këmbë. E kërcënuan dhe e hoqën, nuk mund të them Rama apo Balla, por ai deputeti i zonës atje dhe kandidati e kërcënuan dhe e hoqën. Interesi është ky, ka një faktor LSI që është shumë i fortë. Nëse bëhet me këtë tonin faktori i LSI, fitonim ne dhe prandaj PS e hoqi se humbisnin Skraparin. Kandidati i Lezhës dhe Kavajës ranë nga partitë e vjetra, presion për kandidatët. Këtu po të kishte Prokurori, ajo do hetonte. Partia jonë ka trembur të dy partitë e vjetra, ka trembur sistemin sepse kauza jonë është anti-sistem. Nga 28 kanë ikur disa prej tyre dhe qëndrojnë të tjerët, e zëmë se ikën të gjithë, unë nuk shantazohem dot, nëse më shantazhojnë, s’do dal më në televizor. Më falni që disa prej tyre nuk patën këllqe dhe u tërhoqën”, përfundoi Patozi./tvklan.al