Ashtu siç kishin paralajmëruar, demokratët kanë gati propozimin e tyre për votën e disaporës, dokument i cili pritet të depozitohet në kuvend.
Pas mbledhjes së grupit parlamentar, Gazment Bardhi tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është prioritet për opozitën, e cila ka adresuar edhe zgjidhjet në draftin e saj.
“Besojmë që zgjidhja që kanë dhënë drejtuesit tanë është zgjidhja më mirë dhe siguron votë për shqiptarët që jetojnë jashtë territorit”.
Opozita kërkon që të drejtën e votës ta ushtrojnë të gjithë ata shtetas shqiptarë që jetojnë jashtë, qofshin rezidentë apo jo.
Demokratët kundërshtojnë kufizimin që sipas tyre mazhoranca i bën diasporës, duke vendosur si kusht pasjen e një adrese të ligjshme.
Në propozimin e saj opozita insiston që i gjithë procesi të kalojë përmes KQZ-së dhe vota t’i besohet një poste ndërkombëtare.
Ndërkohë, demokratët nuk kanë ende një vendim sa i përket çështjes së shpërndarjes së mandateve, teksa e cilësojnë një kusht të panegociueshëm rikthimin tek marrëveshja e 5 Qershorit të vitit 2020.
Tv Klan