“Po i heq të drejtat opozitës, i jep të drejtë mazhorancës të ndalojë ngritjen e komisioneve”
Opozita ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese ndryshimet e ligjit për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve hetimore. 33 deputetët që kanë firmosur padinë, kërkojnë shfuqizimin e këtij ligji pasi favorizon mazhorancën dhe i heq të drejtat kushtetuese opozitës.
Dhurata Çupi: Depozituam kërkesën pranë Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit për komisionet hetimore dhe sigurisht dhe si masë paraprake kemi kërkuar dhe pezullimin e këtij ligji. Maxhoranca vendos kur do t’i ngrejë komisionet hetimore, nëse do t’i ngrejë apo jo, si do të funksionojë komisioni hetimor. Vendos se cilët dëshmitarë do të thirren, cilat prova do të merren.
Ligji për komisionet hetimore u votua me 75 vota në parlament në dhjetor të vitit të shkuar, ndërsa më 18 janar të këtij viti u dekretua nga Presidenti Bajram Begaj.
PD ka depozituar 8 kërkesa për ngritje të komisioneve hetimore, por asnjë prej tyre nuk është pranuar nga mazhoranca. Krahas kërkesave të tjera, ngritja e komisioneve hetimore është një nga arsyet e protestës së opozitës që po zhvillohet prej më shumë se 3 muajsh në parlament.
Klan News