Partia Demokratike i është drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme për të adresuar shqetësimet për mundësinë e manipulimit dhe parregullsive në procesin zgjedhor të 11 Majit.

Dy përfaqësuesit e PD, nënkryetari Oerd Bylykbashi dhe Sekretari për Çeshtjet Ligjore dhe Zgjedhore në PD, Ivi Kaso, në takimin me kryeprokurorin Olsi Çela i kanë kërkuar hartimin e një plan masash me qëllim parandalimin e krimeve zgjedhore.

“Dominancën e çështjeve e mbulon kjo prokurori dhe me fokus përdorimin masiv të shtetit, shtet elektoral. Prokurori i përgjithshëm është ai që i ndjek këto çështje. Kërkuam që prokurori të ketë plan masash të qartë, tani, pa vonesë, që të kemi veprim efikas dhe të mos mbetet në aspektet deklarative aq më shumë pas zgjedhjeve. Kuadri ligjor i jep mundësi të mëdha sistemit të prokurorisë për të goditur paraprakisht krimin zgjedhor si atë të që po ndodh këtu dhe në diasporë. Dhe ajo që presim është të veprojë pa hezitim. Ka ikur koha e fjalëve, është koha e ndërhyrjeve të drejtpërdrejta nga prokuroria. Nëse do të ketë masa efektive shumë veta do të jenë të prirur të ndalen dhe mos kryejnë këto krime zgjedhore”, tha Oerd Bylykbashi.

Demokratët kanë shprehur dhe shqetësimin për përfshirjen e Policisë së Shtetit në zgjedhje.

“Asgjë që është thjesht letër nuk i bën punë askujt. Ne kërkojmë plan masash nga prokuroria ajo që bën SPAK-u është punë e tij. Ai ka refuzuar të merret me krimin zgjedhor, ndërkohë që është ndërtuar si mekanizëm për të goditur një nga aspektet më të rënda si shitblerja e votës. Letrat nuk i duhen askujt për sa kohë nuk ka efikasitet. Janë shumë vonë, më shumë se kërcëllima e dhëmbëve janë faktet. Sa persona dënohen për krimin e korrupsion zgjedhor që ka filluar këtu dhe në Diasporë? Por siç ia kërkojmë SPAK-ut, ia kërkojmë edhe prokurorisë dhe nëse ky sistem do të funksionojë me efikasitet të lartë edhe krimi zgjedhor do të rrudhet. Kjo nënkupton që prokuroria duhet të jetë mbi kokën e Policisë së Shtetit. Edhe policia është organ i politizuar e shndërruar e tëra piramida në funksion të zgjedhjeve edhe policia duhet të ndjeje goditje për shkak të shpërdorimit të detyrës, apo çdo përfshirje tjetër në vepra zgjedhore”, tha Bylykbashi.

Teksa kryeperokurori Çela u ka premtuar angazhimin e prokurorisë, demokratët zotohen se do të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit.

“Prokurori na ekspozoi vështirësitë që ka sistemi i prokurorisë në lidhje me ndjekjen efikase, por njerëzit duan rezultate. Na premtoi angazhim të dukshëm. Ne presim faktet dhe jemi të gatshëm ta furnizojmë prokurorinë me kallëzime penale konkrete dhe presim që pas tyre të ketë goditje efikase që ta rrudhë krimin zgjedhor. Ajo që do të ndodhë, nuk duhet të jetë ajo që ka ndodhur deri më sot”, tha Bylykbashi.

Për parandalimin e krimeve zgjedhore SPAK ka miratuar strategjinë e hetimit. Task Forca do të drejtohet nga kreu i SPAK Altin Dumani. Në përbërje të strukturës do të ketë prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, ekspertë dhe staf administrativ mbështetës.

Grupet hetimore të ngritura nga SPAK do të të jenë në 61 bashkitë e vendit.

Klan News