Partia Demokratike ka refuzuar aplikimin e votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e vitit 2025. Në përgjigje të kërkesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, PD jep si argument kryesor mungesën e transparencës për çështjet e pazgjidhura të zgjedhjeve të mëparshme dhe kohën e pamjaftueshme për të përmirësuar sistemin.

“Ende nuk është bërë një transparencë e plotë lidhur me problematikat, të cilat kanë karakterizuar këtë proces në dy zgjedhjet pararendëse, në mungesë të mekanizmave efikasë të adresimit të problematikave të konstatuara si dhe në presionin e një kohe të pamjaftueshme për një implementim efikas të kësaj teknologjie në zgjedhjet e ardhshme, shprehim mosdakordësinë tonë lidhur me propozimin tuaj për implementimin e votimit elektronik në zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2025.”

Partia Demokratike thekson se pa një adresim të plotë dhe të drejtë të problematikave të identifikuara, zbatimi i votimit elektronik rrezikon të minojë më tej besimin e publikut në zgjedhje.

“Votimi dhe numërimi elektronik është një projekt i propozuar fillimisht prej saj që në vitin 2012. Sipas dokumentit, kjo nismë, edhe pse pati miratim të gjerë në Komisionin e Reformës Zgjedhore të asaj kohe, u pengua nga Partia Socialiste, e cila atëherë ishte në opozitë.”

Megjithatë, përpjekjet për zbatimin e plotë të votimit elektronik nuk u realizuan as në zgjedhjet e vitit 2021 dhe as në ato të vitit 2023, ku teknologjia u përdor vetëm në disa njësi administrative si Njësia Nr.10 në Tiranë, si dhe në Bashkitë Elbasan dhe Kamëz. PD argumenton se, ndonëse votimi elektronik solli disa avantazhe, ai po ashtu u shoqërua me një sërë problematikash që cenonin rëndë integritetin e procesit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka propozuar dy qarqet, Elbasan dhe Durrës për aplikimin e teknologjisë, ndërsa u kërkoi një mendim edhe 10 partive politike në vend.

Klan News