“Pagat tuaja i mban peng Kryeministri Rama”
Gratë naftëtare që vijojnë grevën në Ballsh i kanë vizituar ish-deputetet e Partisë Demokratike Dhurata Çupi dhe Oriola Pampuri.
Sipas pamjeve të shpërndara nga selia blu, grevistet shprehën shqetësim për të ardhmen e tyre ndërsa thanë se ishin të vendosura në kërkesat e tyre.
“Sikur dhe të vdes unë dua që të më realizohen 2 kërkesat e mia, të merren pagat e prapambetura dhe të rifillojë puna. Nuk jemi vetëm ne por jemi mbi 900 familje këtu në Ballsh”.
“Kemi fatin e madh që ministrja është femër, ministrja e kësaj që na përket ne është femër. Ne duam vetëm të vijë le të na japë dhe përgjigje negative, do ta përtypim dhe atë. Të paktën të vijë të na takojë”.
“Ku është Erion Braçe? Pse nuk ulërin tani? Ku shkon ari i zi?”
Përfaqësueset e opozitës thanë se fajtore për këtë situatë është qeveria.
“Të gjithë e kuptojmë që juve nuk ua mban pagën një biznes, por ua mban Edi Rama dhe qeveria”, shprehet Dhurata Çupi.
“Sot mundësia jonë është në ngremë zërin, sot mundësia jonë është fjala. Më vonë kur të jemi në pushtet jam e sigurt që do keni mbështetje”, thotë Pampuri.
Përfaqësuesit e naftëtarërëve thanë se duan të dinë cilët janë pronarët aktualë të rafinerisë në mënyrë që të përgjigjen për pagat e prapambetura.
Tv Klan