Partia Demokratike ka akuzuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, se e ka shndërruar Tiranën në lavatriçe pastrimi parash.

Përfaqësuesi i PD-së, Belind Këlliçi, citoi një raport ndërkombëtar sipas të cilit “60% e investimeve në ndërtim në Tiranën e drejtuar nga Erion Veliaj dhe indirekt nga Edi Rama, burojnë nga paratë e pista”.

“Erion Veliaj erdhi në krye të Bashkisë së Tiranës me premtimin mashtrues se nuk do të jepte leje ndërtimi. Sot, 5 vjet më pas, Erion Veliaj e ka shndërruar Tiranën në lavatriçen më të madhe të parave të pista, ku llogaritet se, gjatë mandatit të dytë dhe të fundit të kësaj qeverie, janë pastruar më shumë se 1.6 miliardë euro”, tha Këlliçi.

Sipas PD-së, kjo shifër është sa 1/3 e buxhetit vjetor. Këlliçi premton se selia blu do të ketë prioritet betejën ndaj pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.

“Beteja për një Shqipëri të pastër është beteja e çdo shqiptari. Beteja për një vend të çliruar nga zinxhirët e krimit dhe të korrupsionit është ajo çfarë pret çdo shqiptar punëtor dhe i heshtur. Ne jemi gati ta bëjmë këtë betejë dhe ta fitojmë”, tha Këlliçi. /tvklan.al