Këshilli i Lartë i Prokurorisë denoncon publikisht sulmet ndaj SPAK dhe prokurorit Ols Dado si cenim të një procesi të drejtë hetimor dhe gjyqësor.
Në një reagim zyrtar “qeveria” e prokurorëve duke shprehur shqetësimin për situatën e krijuar si pasojë e këtyre sulmeve, thekson se qëndron pranë prokurorëve.
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpreh shqetësimin për fushatën e vazhdueshme të sulmeve, etiketimeve denigruese dhe përpjekjeve për presion ndaj prokurorëve të SPAK-ut në përgjithësi dhe në veçanti ndaj prokurorit të Prokurorisë së Posaçme Olsi Dado. Deklarata të artikuluara jo vetëm nga disa segmente të caktuara mediatike, por edhe nga persona të përfshirë në hetime ose të akuzuar prej tyre, përfshirë zyrtarë të lartë, dëmtojnë integritetin dhe besimin në drejtësinë shqiptare. Sulmet verbale cenojnë procesin e drejtë hetimor dhe gjyqësor, si garanci themelore të shtetit të së drejtës”, njoftoi KLP.
KLP shtoi se qëndrimet e palëve, si ankesa dhe akuza në proces të trajtohen ligjërisht dhe në mënyrë institucionale.
Por pavarësisht qëndrimit të KLP, kryebashkiaku Erion Veliaj, vijoi edhe këtë të martë reagimet e tij në Facebook, me etiketime ndaj prokurorit Dado.
“Ols Kafka i di të gjithë si vetja – si Andon Ledhi në filmin “Tela për violinë” – laparak lëpirak fut miq dhe ec në jetë, ashtu si kur pa pikë turpi i binte telefonit tim për leje ndërtimi nën kostumin e prokurorit, si kur iu qep shoqes që ta bënte shok armësh në prokurorinë e përgjithshme apo si kur s’iu nda Kol Olldashit të shkretë që ta fuste noter kontenierësh në portin e Durrësit. Njësoj, edhe kur ka marrë drejtësinë me ato notat që qesh gjithë Tirana, edhe kur e kanë futur në SPAK si tip kollovari, në shkelje të ligjit”, tha Veliaj.
Erion Veliaj mohoi akuzat e SPAK se është korruptuar për një leje ndërtimi të dhënë në fshat për Meriman Palushin, ky i fundit nën hetim në të njëjtën dosje.
Tv Klan