Brukseli u kushtëzon paratë shteteve ballkanike me reformat

Në komisionet e Parlamentit Evropian ka marrë dritë jeshile plani prej 6 miliardë eurosh për investime në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Rreth 2 miliardë euro kanë formën e parave pa kthim, ndërsa 4 miliardë euro do të jenë në formën e kredive të favorshme. Këto para jepen krahas fondeve të deritanishme të para-anëtarësimit.

Me planin e ri, BE-ja synon që të stimulojë rritjen ekonomike në gjashtë shtetet e rajonit, duke i kushtëzuar paratë me procesin e reformave në mënyrë që ato të bëhen gati sa më shpejt për t’u anëtarësuar në BE.

Për të përfituar nga kjo paketë e asistencës financiare, këto shtete duhet të përmbushin një varg kriteresh që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, respektimin e parimeve të demokracisë, reformat institucionale dhe ndërmarrjen e hapave të domosdoshëm për të siguruar se paratë si deri tani nuk do të keqpërdoren.

Në propozimet e të tria institucioneve të BE-së, përmendet kushti për kontrolle financiare dhe auditime të pavarura. Në rast se konstatohet se ndonjë shtet nuk i përmbush më kriteret, atëherë do t’i ndalen pagesat.

Përveç kritereve që kanë të bëjnë me reforma dhe sundimin e ligjit, do të ketë edhe kritere politike.

Për Kosovën dhe Serbinë “para-kusht tjetër” do të jetë “angazhimi konstruktiv në normalizimin e raporteve mes tyre, me qëllim të zbatimit të plotë të obligimeve përkatëse që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksi për implementim” dhe “angazhimi në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.

Parakusht tjetër për Serbinë do të jetë përshtatja me politikën e përbashkët të jashtme përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Klan News