Në mbledhjen e përbashkët të mbajtur në Tiranë mes deputetëve evropianë dhe atyre shqiptarë në Komisionin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, kreu i delegacionit të Parlamentit Evropian, Marko Tarquinio ka ofruar mbështetjen e plote për anëtarësimin sa më të shpejtë të vendit tonë në familjen evropiane.
“Shumë gjëra kanë ndryshuar gjatë viteve të fundit në Shqipëri, por edhe aktualisht po shohim zhvillime interesante të ndryshme në këtë vend. Ne duam që të jemi në anën tuaj. Ne duam t’ju mbështesim në përpjekjet tuaja drejt BE-së. Reformat në parlamentin shqiptar kanë filluar tashmë të mishërojnë shpresat që kemi edhe ne Parlamentin Evropian dhe sigurisht edhe shpresën për t’u bërë vend anëtar i BE sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Marco Tarquinio, Kryetari i Komitetit Ndërparlamentar të PE-së.
Bashkëkryetari i Komitetit, socialisti Toni Gogu, evidentoi progresin e shënuar drejt BE-së, në tryezën e negociatave.
Por përfaqësuesit e opozitës, Jorida Tabaku dhe Gazment Bardhi kanë deklaruar se qeveria i ka refuzuar ofertat e opozitës për luftën kundër korrupsionit dhe ngritën pretendimet se mazhoranca ka kapur drejtësinë.
Në këtë mbledhje ka folur edhe eurodeputeti grek Fredi Beleri.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato deklaroi se, anëtarësimi në BE është një objektiv që nuk i përket një partie apo një tjetre, por është ambicia e të gjithë popullit shqiptar.
“Çelja e negociatave për grup-kapitullin e “Themeloreve” po e sjell marrëdhënien mes nesh në një fazë të re. Është një mesazh i fuqishëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin Perëndimor. Kemi objektivin ambicioz për çeljen e të gjitha grup-kapitujve deri në fund të vitit 2025. Kjo është e arritshme, por absolutisht kërkon punë mjaft të madhe”, tha Gonzato.
Të mërkurën dy delegacionet parlamentare do të diskutojnë mbi zhvillimin Ekonomik dhe Turizmin, si dhe Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal.
Tv Klan