Është hapur rruga për ndërtimin e bazës ajrore të Kuçovës. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, tha pas mbledhjes së qeverisë se sot u kompletua kuadri rregullator dhe ligjor ndërsa punimet pritet që të nisin në Janar.
“Në mbledhjen e sotme sapo miratuam një vendim që lidhet me projektin më madhor në fushën e zhvillimit të infrastrukturës së Forcave tona të Armatosura në bazën ajrore të Kuçovës që me vendimin e sotëm kompleton kuadrin rregullator dhe ligjor dhe i hap rrugën fillimit të punimeve. Në ditët e para të Janarit ne do të vendosim në mënyrë simbolike gurin e parë të bazës taktike të Kuçovës, një bazë taktike e NATO-s. Një lajm shumë i mirë edhe për familjet që preken nga vendimi i sotëm i shpronësimit. Ju siguroj që do të shpronësohen në vlerën e plotë të tregut bazuar në të gjitha aktet ligjore dhe pa asnjë vonesë. Për banorët e zonës është një lajm dyfish i gëzuar sepse është një investim prej 50 milionë Euro që do të thotë zhvillim ekonomik, punësim për të gjithë zonën përreth”, tha Peleshi.
Baza e Kuçovës sipas ministrit është shumë e rëndësishme edhe për sigurinë e rajonit.
Vetëm për fazën e parë të projektit do të financohen 50 milionë Euro nga fondet e NATO në partneritet me qeverinë shqiptare.
Aeroporti i Kuçovës është ndërtuar në 1955. I vetmi investim i kryer në këtë bazë është në 2004, por aktualisht edhe pse qëndron i hapur është në gjendje të amortizuar./tvklan.al