Në burg qëndron vetëm Festim Bexhdili
Gjykata e Posaçme ka liruar nga qelia Leonard Hajrin dhe Olsi Turjan, të dy të arrestuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në Janar të vitit të kaluar. Togat e zeza kanë ndryshuar masën e sigurisë për Leonard Hajrin nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje”, ndërsa për Olsi Turjan kanë caktuar masën e arrestit shtëpiak. Pak ditë më parë gjykata ka liruar edhe Ardian Doçaj, si dhe Bajram Hajrin, që u arrestuan për të njëjtën akuzë.
I vetmi që qëndron pas hekurave për këtë ngjarje është Festim Bexhdili që ka qenë i punësuar në kompleksin ku dyshohet se u mbajt trupi i pajetë i 49-vjeçarit. Sipas prokurorisë ai dyshohet se është personi që ka marrë trupin e Prengës me një furgon nga ambientet e resortit Golden në Shijak, duke e transportuar jashtë dhe më pas ka zhdukur edhe kufomën.
Kur ka kaluar më shumë se një vit nga ngjarja e rëndë, policia ende nuk ka bërë të mundur gjetjen e trupit të 49-vjeçarit, që dyshohet se është zhdukur pranë fshatit Pjezë në Shijak.
Rrëmbimi i Jan Prengës ndodhi mesditën e 17 Janarit të vitit të kaluar në Kamëz, ndërsa fillimisht u arrestuan 6 persona, si dhe u shpallën në kërkim Altin Hajri dhe Gentian Doçaj. Referuar hetimeve të prokurorisë, rrëmbimi i Prengës ka ardhur si pasojë e një përplasje që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatorët dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe për prishjen e pazareve të drogës.
Tv Klan