Të enjten mblidhen krerët e partive aleate
Përçarjet e kohëve të fundit ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës kanë bërë që nesër të zhvillohet një takim ndërmjet tyre. Në takimin që do të zhvillohet në zyrën e Kryeministrit do të jenë të pranishëm kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ai i AAK-së Ramush Haradinaj dhe kreu i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj.
Takimin e kanë konfirmuar nga qeveria duke mos dhënë detaje si dhe zyra për informim e AAK-së nëpërmjet një njoftimi për media. Nuk janë bërë të ditura temat e takimit.
Megjithatë një takim i tillë ishte paralajmëruar javë më parë nga kreu i LDK-dë Isa Mustafa, pas deklaratave të kreut të AAK-së Ramush Haradinaj në lidhje me pakënaqësitë e tij për dialogun me Serbinë dhe sinjalet e tij për largim nga koalicioni qeverisës.
Por analistët patën përmendur si shkak edhe ambiciet e Haradinajt për postin e Presidentit.
Përçarje ndërmjet koalicionit qeverisës janë vërejtur edhe pas hyrjes së xhandarmërisë serbe në Karaçevë të Kamenicës dhe pas vendimit të kryeministrit për të ndërprerë punimet në rrugën Deçan-Plavë.
Kohëve të fundit është duke u diskutuar edhe përfshirja e Partisë Demokratike të Kosovës në koalicionin qeverisës, ndërsa LVV-ja ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Hoti.
Tv Klan