“Rama dhe ministrat duhet të mbajnë përgjegjësi penale”
Kur përmendet një koalicion me bazë të gjerë mes dy të mëdhenjve pas zgjedhjeve, Lulzim Basha kalon menjëherë në ekstremin tjetër të qëndrimeve, kundër Edi Ramës dhe ministrave të tij për të cilët paralajmëron ndjekje penale. Pavarësisht refuzimit, pranon se ofertat i ka pasur aty.
“Përqasja ime është një mjet për të arritur objektivat me të cilat kam kërkuar dhe kam marrë votat e qytetarëve. Dhe unë nuk shkoj kërkoj votat e qytetarëve që të bëj qeveri me Ramën sepse për mua Rama, ministrat e tij duhet të mbajnë përgjegjësi politike dhe penale. Është e paimagjinueshme që PD-ja të bëhet fasadë e një rilindjeje”, tha Basha.
Në anën tjetër, për marrëdhëniet me LSI përgjigjet shkurt dhe kujton se ka një marrëveshje të firmosur për çdo rast.
“Raportet me LSI-në janë solide, raportet me të gjithë aleatët janë solide”.
Koalicionet janë sfida e radhës e opozitës për Reformën Zgjedhore, por sipas Bashës është më e rëndësishme një detaj tjetër, ai që, pakica nuk bëhet dot shumicë.
“Ça tregon kjo, tregon që ky ka frikë. Tregon atë që e di që ai është pakicë. Shkurt po ta them dhe qartë pakica nuk bëhet dot shumicë me hile”, tha Basha.
Për Presidentin Meta, kreu i Partisë Demokratike duket i kursyer në lëvdata, por gjithsesi e quan të justifikuar në rolin për mbrojtjen e Kushtetutës.
“Ka justifikuar detyrën e lartë megjithëse këtë detyrë e ka marrë nga kundërshtari politik”, tha Basha.
Sipas Bashës, qeveria dështoi me menaxhimin e pandemisë dhe masat janë të pamjaftueshme në prag të gripit stinor.
Tv Klan