Gjykata e Romës ka konfirmuar dënimin me 9 vite burg për ish-sulmuesin e Real Madrid dhe Milanit, Robinjo dhe mikun e tij, Rikardo Falko për dhunë në grup ndaj një 23-vjeçareje shqiptare.
Faktet datojnë që nga viti 2013, kur braziliani luante me kuqezinjtë. Dënimi i parë ishte në vitin 2017, i konfirmuar më pas në shkallën e dytë nga Gjykata e Apelit të Milanos.
Braziliani dhe një grup miqsh shkuan në një klub milanez, ku shqiptarja festonte ditëlindjen. Pasi e qerasën me pije, ai dhe Falok e përdhunuan.
Siç thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit të Milanos, ish-futbollisti dhe shoku i tij treguan “përbuzje të veçantë” ndaj viktimës “e cila u poshtërua brutalisht”. Dënimi është përfundimtar, me ekzekutim të menjëhershëm.
Drejtësia italiane duhet të paraqesë një kërkesë formale për ekstradimin e Robinhos dhe mikut të tij në Brazil, e cila më pas duhet të nisë një vlerësim të brendshëm.