Kur ka mbetur më pak se një muaj përpara nisjes së sezonit turistik në plazhin më të madh të vendit në Durrës, kanë nisur përgatitjet e para për të pritur pushuesit.

Vëmendje i është kushtuar pastrimit të ranishtës nga leshterikët edhe mbeturinat dhe vendosjes së koshit të mbeturinave.

Ali Karaj: “Masat që merr kjo ndërmarrje në fillim farë me heqjen e sasisë së leshterikut, të cilët ndodhen në bregdet, ku një pjesë e mirë e kësaj është hequr dhe me datë 1 Maj gjithë sipërfaqja e bregdetit dhe e rërës dhe buza ujit do jetë e pastër. Koshat e plehrave dhe vetmi ndryshim është që në rast se vjet ne i kemi pasur çdo 50 metra, sivjet ne kemi bërë një ndryshim të cilin do ta realizojmë me një distancë më të vogël, duke parë edhe përqindjen e ndotjeve që kemi nga pushuesit”.

Me ngrohjen e motit edhe vizitorët e parë të plazhit kanë nisur ta frekuentojnë këtë plazh, duke shpresuar për kushte ,më të mira gjatë sezonit veror.

Banor: “Gjendja në plazhin e Durrësit, shikojeni vet, nuk flas më tepër unë, shikojeni ja”.

Banor: “Papastërtia është shumë e madhe, sezoni po vjen shumë shpejt edhe Bashkia po ecën shumë avash me punimet”.

Por problem më i madh që nuk pritet të gjejë zgjidhje gjatë këtij viti mbetet rehabilitimi i ujërave të zeza.

Po kështu edhe infrastruktura rrugore që të çojnë në plazhet më të frekuentuara kryesisht në Golem, mbetet një problem real.

Përgatitjet kanë nisur edhe në plazhin e Velipojës, i cili është kthyer në një prej destinacioneve më të preferuara për pushues të zonës veriore dhe të Kosovës.

Pastrimi i plazhit sipas drejtuesve të Pushtetit Vendor do të përfundojë para nisjes së sezonit turistik.

Nikollë Marku: “Kemi programuar një projekt për pastrimin e plazhit rreth 120 milion lekë të vjetra. Është ndërmarrja e pastrimit me detyrim të vetin, ku ndryshe nga vite të tjera kemi dy makina teknologjike, një brigadë pastrimi, patjetër që do jetë, do funksionojë me dy turne këtë vit, pra ka një patonom tjetër për sa i përket pastrimit të plazhit të Velipojës”.

Në plazh do të ngrihen edhe disa pika vrojtimi me roje për t’iu ardhur në ndihmë pushuesve në rast rreziku./tvklan.al