Me një pamje të ndryshme nga ajo e një viti më parë, rruga që përshkon bregdetin e Durrësit nga plepat deri në hyrje të plazhit të Golemit ka nisur të popullohet sapo temperaturat kanë filluar të rriten.

Tashmë me katër korsi dhe me një rrugë paralele, ky aks është i gatshëm të përballojë fluksin e madh të pushuesve në këtë zonë të bregdetit.

Hotelierët dhe operatorët turistikë kanë filluar të presin vizitorët e parë, një pjesë e madhe e tyre janë nga Kosova dhe Maqedonia.

Siç thonë ata, këtë vit çmimet do të jenë sërish të ulëta, ndërsa shërbimi edhe më cilësor se një vit më parë, duke nisur nga fjetja me 15 deri në 35 euro në natë.

“I ofrojmë të gjitha kushtet. I ofrojmë gjellat tradicionale me tradicion të Kosovës. Kushtet janë shumë më të mira se vitit të kaluar.”

“Klientë kosovarë kemi shumë, iu ofrojmë ushqime me tradita shqiptare, po kosovare dhe shqiptarëve të Maqedonisë. Çmimet deri tash nuk kanë lëvizë, janë po ato çmime që kanë qenë vjet, si mikpritja, si cilësia i ushqimeve, si cilësia e vendosjes, si cilësi e ambientit çdo vit ndryshon për të mirë”.

Jo pak të kënaqur me atë ç’kanë gjetur këtë fillim sezonit, shprehen edhe pushuesit.

“Ne vijmë nga Prishtina. Arsyeja kryesore e jona është që të vijmë të kryejmë pushimet ose të pushojmë edhe t’i derdhëm jetët tona tek kombi ynë, posaçërisht në Durrës”.

“Nga Prizreni. Po këtu më së tepërmi duhet pak më kon nivel pastërtia, se kështu të gjithat janë mirë. Shpenzimet nuk janë shumë të larta”.

“Nga Podujeva e Kosovës. Pastërtia është më në nivel”.

“E tash me këtë rrugën e re, shkëlqyeshëm. Plazhi është i mirë, rëra, uji, gjithçka, njerëz të mrekullueshëm. Gjithçka mirë”.

“Mirë, plazhi është i mirë. Pritja është e mirë”.

“Çmimet na konvenojnë, rruga tashmë plus, po e shkurton kohën e ardhjes e së shkumes, kështu”.

Pas plazhit, gjithkush mund të çlodhet duke vizituar Durrësin, një qytet me monumente të rralla kulturore.

Në fund të ditës, një shëtitje përgjatë bregut duket po aq mbresëlënëse sa dhe vetë pamja që të ofron qyteti në orët e vona të tij./tvklan.al