Roja bregdetare greke ka bërë të mundur shpëtimin e 90 emigrantëve të tjerë
Të paktën 16 emigrantë kanë vdekur pasi një anije është përmbysur pranë një ishulli grek në detin Egje, citohet të ketë bërë të ditur roja bregdetare.
Ekipet e kërkim-shpëtimit arritën të shpëtojnë 90 emigrantë të tjerë, mes të cilëve 52 burra, 11 gra dhe 27 fëmijë, nga ishulli Prasonisi, rreth 7.5 kilometra në veriperëndim të Antikythira.
Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta dhe besohet se anija kishte si destinacion Italinë. Ky është rasti i dytë që anije përmbyset në detin Egje vetëm brenda kësaj jave.
Greqia është një nga rrugët kryesore për në Bashkimin Evropian për emigrantët dhe refugjatët nga Afrika, Lindja e Mesme dhe më gjerë, megjithëse fluksi është zvogëluar që nga viti 2015-2016, kur më shumë se një milion njerëz përshkuan vendin drejt shteteve të tjera të BE-së.
UNHCR vlerëson se më shumë se 2,500 njerëz vdiqën ose u zhdukën në det në përpjekje për të arritur në Evropë këtë vit.
Klan News