Gjatë kësaj jave moti në vend do të njohë një përmirësim të dukshëm ku nuk do të mungojnë rrezet e diellit. Në një lidhje direkte për Klan News, sinoptikani Hakil Osmani nga “MeteoAlb” bën të ditur se përgjatë javës nuk priten reshje shiu, ku do të kemi rritje të ndjeshme të temperaturave.

Sinoptikani thotë se pjesa e dytë e javës do të sjellë një anomali sa i përket temperaturave të ajrit, pasi do të kemi maksimumet që priten të jenë rreth vlerës 5 gradë Celsius më shumë se çfarë duhet të regjistrohen në muajin Mars.

“Kjo javë sjell një përmirësim të dukshëm të kushteve të motit në territorin shqiptar, por jo vetëm edhe në një pjesë të mirë të Ballkanit. Parashikohet që vendi ynë të paktën gjatë orëve të para të ditës dhe të mesditës të ketë dominim të intervaleve të gjata me kthjellime. Intervalet e gjata me diell më të dukshme do të jenë në vijën bregdetare, ndërsa pjesërisht në Ultësirën Perëndimore dhe në zonat malore do të kemi intervale edhe me vranësira që do të bëhen më të dukshme në pjesën e dytë të ditës, por nuk pritet të sjellin mundësira për reshje.

Ajo çka do të jetë disi edhe më e ndjeshme do të jetë rritja e temperaturave të ajrit. Edhe pse mëngjesin e sotëm vlerat minimale në qytetet e zonave malore janë regjistruar në minus 1 apo minus 2 gradë Celsius, ndërsa maksimumet pritet të jenë  në vlerën 16 gradë Celsius. Duke filluar nga dita e martë dhe në vijim do të kemi rritje graduale të temperaturave të ajrit si në vlerat minimale dhe ato maksimale duke bërë që më e ndjeshme rritja e temperaturaturave të ajrit të jetë në orët e para të mëngjesit pasi kemi minimume që në pjesën e dytë të javës regjistrohen në vlerën 4 gradë Celsius në qytetet e zonave malore, ndërsa në Ultësirën Perëndimore do të luhaten nga 7-13 gradë Celsius në vijën bregdetare. Një rritje e ndjeshme e temperaturave të ajrit do të jetë dhe në orët e mesditës duke bërë që maksimumet në pjesën e dytë të javës të regjistrohen në 21 apo 22 gradë Celsius në vijën bregdetare në qytetet e zonës së ulët duke përfshirë këtu edhe kryeqytetin ku pritet t’i kemi maksimumet nga 18-21 gradë Celsius.

Rritje të temperaturave do të kemi edhe në zonat malore duke bërë që maksimumet aty të jenë në 13 apo 14 gradë Celsius gjatë kësaj jave. Duhet thënë që pjesa e dytë e javës do të sjellë një anomali sa i përket temperaturave të ajrit pasi do të kemi maksimumet që priten të jenë rreth vlerës 5 gradë Celsius më shumë se çfarë duhet të regjistrohen në muajin Mars, por po ashtu në orët e para të mëngjesit do të kemi temperatura rreth dy gradë më të larta se sa vlerat normale.

Parametri i erës gjatë kësaj fillimjave mbetet disi me shpejtësi deri mesatare nga drejtimi verior-verilindor me një shpejtësi që shkon edhe deri ën 50km/orë me intervale të shkurtra kohore, por nga e mërkura e në vijim edhe parametri i erës do të ketë përmirësim”, shprehet sinoptikani Hakil Osmani.

/tvklan.al