Kanë punuar prej vitesh si vullnetarë për t’ju mësuar fëmijëve të emigrantëve në Greqi Gjuhën Shqipe, por duke nisur nga ky muaj 50 arsimtare do të paguhen si pjesë e programit të mbështetjes financiare të qeverisë shqiptare.
Vete kryeministri njofton se ky program jo vetëm do të mbështesë më shumë mësuese të Gjuhës Shqipe brenda Greqisë, por do të shtrihet dhe në shtete të tjera ku ka komunitete të mëdha shqiptarësh.
Rama flet dhe për raportet me shtetin grek që sipas tij janë në nivele më të mira e që siç thotë do jenë shumë më të mira kur të jenë të dy vende të Bashkimit Europian e që do të ndikojnë dhe në marrëdhëniet e të gjithë vendeve të rajonit të Ballkanit.
“Sot jemi në pozicion tjetër dhe më vjen mirë që edhe marrëdhëniet me qeverinë këtu janë në një moment shumë më të mirë se sa ishin, duhet të jenë akoma më të mira, do bëjmë çmos që të jenë më të mira. Na është hapur një dritare e madhe mundësie që të jemi pjesë e BE. Aty do kalojmë si popull, shtet, komunitet, si shoqëri shqiptare në një nivel tjetër. Ndjenja e barazisë nuk do jetë thjesht burim i vetëdijes se sa shumë gjëra kemi arritur të ndryshojmë për veten, por do jetë edhe e vulosur zyrtarisht, të qenit anëtarë të barabartë të BE. Duke qenë se bashku me Greqinë në të njëjtën tryezë si ta barabartë, do jemi dhe më të fortë si lagje këtu e Ballkanit dhe do mund të bëjmë gjëra ende më të mira se çdo mund të bënim nëse s’do kishim këtë status të ri”, tha Rama.
Tv Klan