Edi Rama e nisi të dielën me një ftesë në adresë të bashkëatdhetarëve në Greqi, ku lajmëroi se në 2 Mars do të hapet panairi i punës në Athinë. Një mundësi kjo sipas kryeministrit që ofron kthimin në Shqipëri të të rinjve dhe profesionistëve që punojnë në emigracion.

Por vetëm pak orë pas këtij njoftimi, Rama replikoi me ndjekësit nga dritarja virtuale “Sy më sy”, të cilët i shkruanin se asnjë emigrant nuk kthehet në atdhe.

“Këtu e ke gabim e dashur Dori sepse ka plot që kthehen. E ke parë ti që u del llogaria më mirë në fund të vitit, sidomos kur kursimet andej investohen këtej në fshatin e tyre për një fermë, për një agroturizëm, për një linjë përpunimi”, shprehet Rama.

Përgjigje i ktheu edhe emigrantëve që kusht për rikthimin kanë pensionet dinjitoze, si ato në vendet europiane ku jetojnë.

“Pensionet europiane nuk bëhen aq kollaj sa shkruhet një koment sepse po të jap një shembull konkret. Shumëkush thotë  “Dua pension europian në Shqipëri”, por sigurimet shoqërore i ka paguar të tëra këto vite në Greqi dhe nuk është e mundur nëse nuk mbyllim marrëveshjen e pensioneve me Greqinë siç e mbyllëm me Italinë apo me plot vende të tjera, që të mund t’i japim një pension siç e dëshiron këtu në Shqipëri, por ama, mos harro që kur erdhëm ne në detyrë, jo që nuk kishte fare nga këto marrëveshje, Shqipëria nuk kishte fytyrë që të ulej si e barabartë në tryezë më te tjerët”, tha mes të tjerash Kryeministri.

Sorollatja për një dokument në dyert e shtetit sipas qytetarëve është një tjetër arsye që i mban larg vendit.

“Po jo more miku im Ladi, në këtë vend është më kollaj se në Greqi, është më kollaj se në Itali për të marrë dokumentet sepse i merr nga aty ku je, me celular, pa luajtur vendit hiç”, tha Rama.

Rama premtoi se do të mbyllë plagën e pronave, ndërsa fajin për zvarritjen i’a hodhi qeverisjes së djathtë kur ishte në pushtet.

“Për ndërtimet e bëra në pronën e të tjerëve apo dhe në tënden ke shumë të drejtë. Këtë e kemi peshqesh nga këneta jonë që e bëri Shqipërinë lesh e li, por dhe kjo hap pas hapi po vihet në vend dhe brenda kohës së negociatave me Bashkimin Europian do ta mbyllim dhe këtë plagë të madhe që e trashëguam nga këneta jonë dhe Shqipëria 2030 nuk do ta ketë më këtë problem”, deklaron Rama.

Panairi i 2 Marsit në Athinë sipas Kryeministrit ka për qëllim të njohë këdo shqiptar në emigracion me perspektivën e kthimit të plotë a të pjesshëm me punë në atdhe për të investuar në sektorë si turizmi apo ndërtimi.

Tv Klan