Kryeministri Edi Rama nis sot një seri takimesh dhe aktivitetesh në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror 2025, i cili zhvillohet në Davos të Zvicrës.

Takimi i 55-të vjetor i Forumit Ekonomik Botëror mblidhet nën temën “Bashkëpunimi për Epokën Inteligjente”, me diskutime që fokusohen në pesë shtylla thelbësore, të ndërlidhura, me rëndësi të posaçme për një të ardhme të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të begatë.

Me misionin “Ne bashkojmë qeverinë, bizneset dhe shoqërinë civile për të përmirësuar gjendjen e botës.”

Këtë vit forumi bën bashkë rreth 3 mijë liderë, nga mbi 130 vende, mes të cilëve, 350 liderë qeveritarë, duke përfshirë 60 kryetarë shtetesh dhe qeverish për të adresuar sfidat kryesore globale dhe rajonale.

Së bashku me liderë nga vende të tjera të botës, Kryeministri Edi Rama është pjesëmarrës në disa tryeza të rrumbullakëta, si dhe panelist në sesione të ndryshme.

Kryeministri gjithashtu do të takohet përgjatë 3 ditëve të forumit me homologë, liderë të biznesit, drejtues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare dhe personalitete të tjera pjesëmarrëse në forum.

Tv Klan