Detaje të reja kanë dalë nga plagosja e 17-vjeçarit A.Gjergji, ngjarje e ndodhur në njësinë Bërdicë të Shkodrës mbrëmjen e kaluar. Mësohet se 17-vjeçari ka marrë vetëm një plumb ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Gazetarja e Klan News në Shkodër, Emi Kalaja, raporton se e gjithë ngjarja ka ndodhur në sytë e prindërve të 17-vjeçarit i cili u plagos nga Gent Dushku që vijon të jetë në kërkim nga Policia e Shkodrës. Konflikti ka filluar mes familjes Luka dhe Gjergji që janë komshinj me njëri-tjetrin.

Palët kanë patur një sherr edhe më përpara lidhur me ngacmimin e një vajze. Gent Dushku i cili banon në lagjen “Xhabiej” në Shkodër është dhëndri i familjes Luka dhe ka shkuar mbrëmjen e djeshme në Bërdicë.

Aty ka nisur një debat me babain e të plagosurit. Ky i fundit ka dalë me një kaçavidë në dorë dhe në ato momente dyshohet se Gent Dushku ka qëlluar me pistoletë djalin 17-vjeçar duke e lënë të plagosur i cili po ashtu ndodhej jashtë së bashku me babain e tij.

Në momentin e plagosjes në rrugë ndodhej edhe nëna e të plagosurit. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë duke nisur hetimet për zbardhjen e kësaj plagosje të ndodhur për motive të dobëta.

Efektivët kanë sekuestruar kaçavidën dhe gëzhojën me të cilën qëlloi Gent Dushku. Po ashtu Policia e Shkodrës është duke zhvilluar kontrolle për gjetjen dhe kapjen e autorit të dyshuar të plagosjes i cili vijon që të jetë në kërkim nga uniformat blu.

/tvklan.al