Policia e Tiranës ka identifikuar një prej autorëve të atentatit të ndodhur në 3 Shtator të këtij viti në Don Bosko, ku mbetën të plagosur Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi. Ai është 23-vjeçari Denis Tahiri, i cili ka patur rolin e organizatorit të punës për të kryer atentatin, por dhe një personat që ka qëlluar në drejtim të dy të plagosurve.
Pothuajse dy muaj pas ngjarjes, 23-vjeçari është shpallur në kërkim pasi gjatë operacionit të orëve të para të mëngjesit të së premtes nuk u gjet në banesë. Ndaj të riut Gjykata e kryeqytetit, caktoi masën e sigurisë arrest në burg në mungesë për dy vepra penale, vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave, e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Ndaj Tahirit janë gjetur prova konkrete, të cilat bindën gjykatën për të dhënë vendimin e masës në mungesë. Bëhet fjalë për prova biologjike të gjetura në mjetin e djegur në fshatin Qerekë, dhe pamje të kamerave të sigurisë. Blutë po punojnë për identifikimin e autorëve të tjerë të atentatit, bashkëpunëtorë të Tahirit.
Elezaj dhe Metushi, u qëlluan teksa po pinin kafe në një lokal në Don Bosko. Agresorët ndoqën lëvizjet e dy të plagosurve dhe shtinë në drejtim të tyre me 7 plumba. Makina tip “Golf 5” e shkrumbuar që u përdor në krim hyri në Shqipëri përmes pikës kufitare të Morinës në Kukës.
Shkëmbimi i informacioneve me palën kosovare mësohet se ka ndihmuar për zbardhjen e identitetit të njërit prej agresorëve. Shkaku i atentatit akoma mbetet i paqartë, por e shkuara kriminale e njërit prej të plagosurve, Kastriot Elezaj, i dënuar më parë për prostitucion në Itali, është një prej pistave kryesore të hetimeve.
Klan News