Identifikohet një nga 3 atentatorët e plagosjes së dyfishtë pasditen e 3 shtatorit në zonën e Don Boskos në kryeqytet ku mbetën të plagosur, Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi.

Në kërkim është shpallur Denis Tahiri, 23 vjeç banues në Kamëz, për të cilin më 22 tetor Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë. I riu akuzohet për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave, e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi, përkatësisht 45 dhe 22 vjeç, po konsumonin një kafe në ambjentet e një lokali në zonën e “Don Boskos” kur 3 persona të cilët lëviznin me një “Golf 5”, qëlluan ndaj tyre.

Pas ngjarjes atentatorët dogjën automjetin e tyre, që rezultoi se kishte hyrë nga Kosova, e dhënë kjo që ndihmoi hetuesit në identifikimin e një prej autorëve. Pavarësisht kësaj, policia e Tiranës mbetet ende e paqartë lidhur me rrethanat e ngjarjes, ndonëse dyshimet janë se atentati kishte si shënjestër, Kastriot Elezajn të dënuar më parë për prostitucion në Itali.

Tv Klan