Makina “Golf 5” që u përdor në atentatin në të cilin u plagosën Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi në “Don Bosko” ka ardhur nga Kosova nëpërmjet doganës së Morinës. Policia shqiptare i është drejtuar policisë kosovare me një letërporosi, ku i kërkon informacion mbi pronarin dhe përdoruesin e këtij mjeti.
Homologët nga Kosova ende nuk kanë kthyer përgjigje mbi kërkesat e palës shqiptare. Hetuesit dyshojnë se mjeti është blerë nga autorët e atentatit. Policia është fokusuar tek pamjet e kamerave për identifikimin e tyre. Targat e mjetit i përkasin një makine në Valias, të cilat dyshohet se janë marrë brenda një garazhi dhe se nuk janë denoncuar të vjedhura.
Dy të plagosurit u ruajtën për disa ditë deri autorët vendosën të ekzekutojnë planin për të qëlluar në drejtim të tyre. Kamerat e sigurisë kanë kapur lëvizje të mjetit të përdorur në ngjarje disa ditë para plagosjes në atë zonë, kohë që mendohet se është përdorur për të njohur rrugicat dhe provuar mënyrën e largimit.
Ajo që vihet re është se atentatorët janë kujdesur të mos kapen fizikisht në pamjet e kamerave të sigurisë, duke mos dalë nga automjeti, i cili ka qëndruar për 30 minuta i parkuar para lokalit ku ndodhi ngjarja. Makina ka ardhur nga Kamza, te Liqeni i Paskuqanit, ka hyrë në afërsi të Bulevardit të Ri dhe është futur në zonën e ngjarjes. E njëjta rrugë është ndjekur dhe pas atentatit derisa në Qerekë ku u dogj dhe mjeti.
Atentati me pasojë dy të plagosur mbetet ende pa autor, teksa policia u gjend përballë një dëshmie që nuk e ndihmoi nga Elezaj dhe Metushi, të cilët pretendojnë se nuk kanë konflikte dhe asnjë dijeni për ndonjë person që mund të kërkojë ekzekutimin e tyre. Ata u qëlluan me 7 plumba me një pistoletë me silenciator menjëherë sapo u ulën në një kafene në zonën e “Don Boskos”.
Klan News