Kuvendi i Mitrovicës zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme, ku çështja kryesore ishte kërkesa për bashkimin e veriut të administruar nga serbët me jugun e administruar nga shqiptarët në një njësi të vetme administrative. Mbledhja u zhvillua me kërkesë të kreut të komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, pasi Ministria kosovare e pushtetit lokal refuzoi t’a shqyrtojë këtë propozim për të mos shtuar tensionet në veri.
“Kjo kërkesë e jona do të zbatohet pikë për pikë. Nuk është iniciativë që e ka marrë kryetari i komunës. Këtë iniciativë e përkrahin shumica e partive në qendër të Republikës së Kosovës”
, thotë Agim Bahtiri, kryetar i komunës së Mitrovicës.
Bahtiri është edhe nismëtar i një peticioni që pas grumbullimit të firmave do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës, ku kërkohet ndryshimi i ligjit për ndarjen e Mitrovicës në dy njësi administrative, në jugun e administruar nga shqiptarët dhe veriun nga serbët.
“S’kemi për të lënë gur pa rrotulluar deri në zbatimin e plotë të kërkesës sonë”.
Propozimi i Bahtirit erdhi pas dorëheqjes në bllok të krerëve të komunave serbe, në shenjë proteste për vendosjen nga Prishtina të tatimit me 100% të vlerës për produktet serbe. Mes krerëve të dorëhequr ishte edhe Goran Rakiç.
Tv Klan