Një 19 vjeçar ka mbetur i dëmtuar teksa eksploronte natyrën në Alpet e Korabit. Sipas policisë, i riu është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, i shkuan në ndihmë një 19-vjeçari, që u dëmtua gjatë eksplorimit të natyrës, në Alpet e Korabit. Sot, rreth orës 12:40, në Alpet e malit të Korabit, duke eksploruar natyrën, dyshohet se aksidentalisht është rrëzuar dhe ka mbetur i dëmtuar shtetasi K. S., 19 vjeç, banues në Fushë-Krujë, i cili shoqërohej nga disa shtetas të tjerë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, pas marrjes së njoftimit, menjëherë kanë organizuar punën për t’i ardhur në ndihmë 19-vjeçarit. Për shkak të terrenit të vështirë dhe të thepisur është kërkuar ndërhyrja e helikopterit, me qëllim ofrimin e ndihmës për shtetasin e dëmtuar. Pas dhënies së ndihmës së parë, 19-vjeçari, është transportuar me helikopter, drejt Spitalit të Traumës. Policia e Dibrës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe vizitorëve, dhe i fton ata që për çdo problematikë që mund të hasin, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112”, thotë Policia./tvklan.al