Një ngjarje tragjike me pasojë vdekjen e një 61-vjeçari ka ndodhur në fshatin Skuraj të Kurbinit.
Korrespondenti i Klan News, Martin Marku raporton se 61-vjeçari teksa punonte dje në lavatriçen e përpunimit të inerteve është rrëzuar nga një lartësi duke marrë plagë të rënda.
Më pas është dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës, por fatkeqësisht nuk ka mundur që t’i mbijetojë plagëve të marra.
Për ngjarjen janë shpallur në kërkim pronarët e lavatriçes (2 vëllezër) dhe drejtuesi teknik, ndërsa po hetohen shkaqet e ngjarjes së rëndë.
Policia ka bllokuar aktiviteten e lavatriçes së përpunimit të inerteve në shtratin e lumit Mat.
Njoftimi i Policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori dhe bënë shpalljen në kërkim të shtetasve: K. Ll., 53 vjeç, dhe M. Ll., 59 vjeç, banues në Fushë – Mamurras, Kurbin, (vëllezër) dhe të shtetasit I.Xh, 58 vjeç,(drejtues teknik) për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Shpallja në kërkim e këtyre shtetasve u bë pasi në lavatriçen e zhavorrit në Skuraj, Kurbin në pronësi të dy vëllezërve, shtetasi F. H., 61 vjeç, banues në Milot, Kurbin, ditën e djeshme gjatë punës është rrëzuar nga një lartësi dhe është dërguar për ndihmë mjekësore në Spital, ku ka humbur jetën në orët e vona të mbrëmjes së djeshme.
/tvklan.al