Civilët palestinezë të cilët janë urdhëruar të largohen nga Rafah tregojnë përjetimet e tyre gjatë 24 orëve të fundit. Me dhimbje ata shprehin frikën dhe dëshpërimin për largimin. Shumë prej tyre tregojnë dhe përjetimet e vështira që nga fillimi i luftës, gjithashtu edhe tmerrin që panë kur gjatë natës Izraeli i sulmoi. Si pasojë e bombardimeve mbetën të vrarë së paku 23 persona duke përfshirë mes tyre edhe gjashtë fëmijë.
“Situata është shumë e vështirë, ne u larguam me frikë pasi në shënjestër të sulmeve ishin shtëpitë e civilëve, shtëpitë tona, shtëpitë e njerëzve që i njohim,” tregon për CNN një qytetar palestinez.
Palestinezët shprehen se kjo nuk është hera e parë që ata i detyrojnë të shpërngulen, por hera e disatë në fakt që detyrohen të çrrënjosen nga shtëpitë e tyre.
“Po shpërngulem bashkë me fëmijët. Ikëm nga vdekja! Unë dhe familja ime jemi zhvendosur gati dhjetë herë që nga fillimi luftës. Kemi duruar shumë vuajtje,” tregon një grua me lot në sy.
Evakuimi i tyre erdhi pas një urdhri nga ushtria izraelite, banorëve iu tha të shpërngulen në Al-Mawasi, një qytet bregdetar pranë qytetit të Khan Younis, që grupet e ndihmës thonë se nuk është i përshtatshëm për banim. Ndërkaq Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë deklaruar se kanë kontroll operacional në anën e kalimit të Gazës në Rafah.
Kishte shpresa se ofensiva e Rafahut nuk do të vazhdonte pasi Hamasi pranoi një propozim për armëpushim të hënën, por ky propozim u rrëzua pasi Izraeli tha se kushtet e armëpushimit ishin larg kërkesave të nevojshme dhe se do të vazhdonte të ushtronte presion ushtarak mbi grupin militant.
Zhvendosja e 100 mijë palestinezëve vjen pasi Hamasi tha se lëvizja e ushtrisë izraelite në Rafah përbënte një katastrofë humanitare, një kërcënim të drejtpërdrejtë për më shumë se 1.5 milionë palestinezë të zhvendosur.
Lufta aktuale filloi më 7 tetor kur militantët e Hamasit vranë më shumë se 1200 njerëz në jug të Izraelit dhe morën peng më shumë se 200 njerëz./tvklan.al