Tayna është rikthyer! Prej muajsh, reperja u zhduk nga rrjetet sociale duke fshirë çdo fotografi nga projektet e mëparshme dhe duke mos postuar më asgjë. Një heshtje totale prej saj, pa asnjë projekt të ri muzikor që më në fund është thyer. Ky rikthim ka ardhur me disa ndryshime për reperen.

Me një poemë të titulluar “Vetëdija” që shoqërohet nga kënga “Si ai”, Tayna ka thënë të vërtetën e saj. Mediat rozë kanë raportuar një shkëputje të marrëdhënieve me menaxherin e saj të mëparshëm. Kënga e re nuk ndodhet më nën emrin e kanalit të kompanisë që e menaxhonte më parë, por tashmë ajo ka një kanal të ri në Youtube.

Në rrjetet e saj sociale ku ka ndarë edhe lajmin për këngën e re, Tayna u ka thënë edhe disa fjalë fansave të saj. Ajo shkruan se ua ka ndier mungesën po aq sa edhe ata asaj.

“Poem ”Vetëdija” është publikuar! I kam parë krejt mesazhet tuaja kur nuk kam qenë aktive edhe ma keni mbushur zemrën mal çdo ditë. Sa ju kam munguar juve, aq më shumë më keni munguar ju mua. Kjo poemë është dhuratë prej fjalëve të shpirtit tim për shpirtin tuaj”.

Nisur nga fjalia e fundit,  duket se kjo këngë duket se është edhe shumë personale për Taynën.  Në rreshta ajo shprehet se “ia kanë lakuar emrin me vrer” dhe shprehet edhe për çfarë i është diktuar përgjatë karrierës së saj.

“Iluzion: bëhu më e shëndoshë, bëhu më e egër, bëhu më e butë, bëhu më femërore, bëhu më e fortë, bëhu si në fillim, bëhu më e bukur, bëhu më përtokë,  bëhu më e paprekshme! U mundova dhe u bëra çkado që i ka leverdisur botës, çkado që u ka dashur mendja”.

Në klip, teksa shkon drejt vetes së vendosur në një akuarium të mbushur me ujë e që mbytet, Tayna thotë se “kam bërtitur me këtë zë që e shajnë e këtë zë që e duan, në gjuhë tjetër ndoshta më kupton dikush, i take my power back”. Fraza e fundit është një thirrje e fortë për të thënë se “po rimerr pushtetin e saj”./tvklan.al