Në kuadër të operacionit policor të koduar “Danger” është vënë në pranga një 60-vjeçar në Fier që ushtronte dhunë ndaj të birit.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë reaguar menjëherë pas njoftimit të marrë se një 60-vjeçar ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj djalit të tij. Falë reagimit në kohë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Danger”, është parandaluar përshkallëzimi i konfliktit midis këtij shtetasi dhe djalit të tij.”
Gjatë kontrollit në banesën e 60-vjeçarit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një arsenal armësh (1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pushkë, 2 armë gjahu), 12 krehra dhe municion luftarak.
Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i 60-vjeçarit me iniciale G. S., banues në Fier, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja pa leje, prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./tvklan.al