15 deputetë të opozitës janë proceduar penalisht nga policia për bllokimin e rrugëve gjatë protestës së të martës. Katër prej tyre janë vënë nën hetim në Tiranë, 3 në Durrës, 3 në Fier, 3 në Elbasan dhe 2 në Lezhë.
Nën hetim është vënë dhe kryetari i Bashkisë së Kavajës Fisnik Qosja dhe sekretari organizativ i PD Ervin Minarolli. Ata akuzohen për “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Nga hetimet që policia ka kryer, për bllokimin e rrugës dhe kundërshtimin e punonjësve të policisë janë proceduar penalisht dhe 195 persona. Numri më i lartë është në Durrës me 92, Fieri 36, Tirana 33, 20 në Elbasan dhe 14 në Lezhë. Për veprimet e kryera në protestë, u bë arrestimi i katër personave, tre prej tyre në Elbasan dhe një në Tiranë. Gjithashtu janë shpallur në kërkim 5 shtetas, përkatësisht 3 në Elbasan dhe 2 në Tiranë.
Deputeti i Partisë Demokratike Tomor Alizoti nga policia e Elbasanit tha se nuk tremben nga veprimet e policisë, ndërsa do vijojnë aksionin opozitar.
Të martën, për 3 tre orë opozita protestoi duke bllokuar 6 segmente rrugore nga veriu në jug gjatë intervalit kohor 17:00-20:00. Si pasojë e aksionit të mosbindjes civile, mbështetësit e Partisë Demokratike paralizuan lëvizjen e automjeteve në mbikalimin e Kamzës, rrethrrotullimin e Shkozetit, atë të Bradasheshit, Rrogozhinës, Levanit e Milotit.
Klan News