Policia e qytetit të Nju Jorkut është ende në kërkim të vrasësit të shefit ekzekutiv të UnitedHealth (UNH.N), Brian Thompson. Autoritetet publikuan të enjten një foto të re me pamje të qartë të fytyrës së të dyshuarit dhe po kërkojnë ndihmën e publikut për identifikimin dhe gjetjen e tij.
Policia ka kontrolluar gjithashtu një bujtinë në zonën e epërme perëndimore të Manhatanit, ku i dyshuari besohet se ka qëndruar, sipas CNN-it. Hetuesit po kërkojnë ende një motiv, thanë zyrtarët në një konferencë për shtyp.
“Çdo tregues thotë se ky ishte një sulm i paramenduar, i planifikuar dhe me objektiv të qartë,” u tha gazetarëve komisionerja e policisë së qytetit të Nju Jorkut, Jessica Tisch.
Pamjet e kamerave të sigurisë treguan sulmuesin teksa qëndronte pas Thompson-it, teksa ngre pistoletën dhe qëllon pas shpine. Policia tha se personi i armatosur mbërriti jashtë hotelit disa minuta përpara Thompson-it dhe priti aty.
Fjalët “moho”, “mbro” dhe “zhbë” u panë të gdhendura në gëzhojat e gjetura në vendngjarje, thanë burime policore për tv ABC dhe gazetën Neë York Post. Fjalët evokojnë titullin e një libri kritik ndaj industrisë së sigurimeve shëndetësore i botuar në vitin 2010 me titull “Vonesa mohon mbrojtjen: Pse kompanitë e sigurimeve nuk paguajnë dhe çfarë mund të bëni për këtë”.
Autori, Jay Feinman, një profesor emeritus i Shkollës Juridike të Universitetit Rutgers, shkroi në një email, “Më falni, nuk kam koment” kur u kontaktua nga Reuters.
Klan News