Prej disa muajsh në Spitalin Memorial të Fierit aplikohet praktika e dyfishtë e punësimit të bluzave të bardha. Mjekja neurologe Arlinda Abazaj tregon se si është kjo eksperiencë e re pune, ku njëkohësisht thekson se është avantazh për të dyja palët, si për mjekët ashtu edhe për pacientët.

Arlinda Abazaj, mjeke neurologe: Jemi përpjekur ta zbatojmë pas orarit zyrtar, pas orës 4. Është një mundësi e mirë, qoftë për ne si mjekë specialistë për të rritur aftësitë tona profesionale, për të rritur numrin e pacientëve, por edhe për pacientët të cilët nuk kanë mundësi të vijnë në orarin zyrtarë apo për ata që nuk duan të presin sistemin e referimit.

Mjekja shprehet se konsultat jashtë orarit zyrtar me pacientët janë një mundësi e mirë për specialistët e rinj, pasi kanë në dispozicion të gjithë infrastrukturën dhe aparaturat e spitalit.

Arlinda Abazaj, mjeke neurologe: Shërbimi që ty të ofron një spital, një institucion shëndetësor, nuk t’i ofron asnjëherë një klinikë e vogël private. Për ta diagnostikuar pacientin dhe për ta ndjekur.

Konsultat dhe ekzaminimet e specializuara jashtë orarit të punës si pjesë e autonomisë spitalore, u mundësojnë mjekëve që përveç pagës bazë, të përfitojnë edhe një bonus shtesë mbi pagën e tyre mujore.

Klan News