Nuk është diçka e pazakontë që persona të shpallur në kërkim në vendet fqinje të gjejnë strehë në Shqipëri e t’i kthehen normalitetit, duke besuar se drejtësia do t’i “harrojë”. Megjithatë, një shprehje thotë të kundërtën në fakt, “drejtësia vonon, por nuk harron”. I tillë është rasti i një 31-vjeçari, për të cilin Policia e Tiranës jep vetëm inicialet E. P., i cili u prangos me kërkesë të autoriteteve italiane, që e akuzojnë për dy vepra penale, grup kriminal dhe trafik të lëndëve narkotike.

Operacioni u quajt “Befasia”, që duket se dhe i shkon përshtat mënyrën sesi 31-vjeçari u arrestua. Ai ndodhej në një lokal në Unazë të Re, kur efektivët i vunë prangat, pas shkëmbimin të informacioneve në kohë reale me Interpol Tiranën.

Policia sqaron në njoftim se 31-vjeçari “ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Milanos ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar duke caktuar masën e sigurisë arrest në burg”. Për dy veprat penale, i arrestuari rrezikon deri në 30 vjet burg. Ai pritet që tashmë të ekstradohet drejt Italisë për t’u përballur me akuzat që rëndojnë mbi të./tvklan.al