Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Presidenti i Komisionit Europian Romano Prodi është pritur në Kuvendin e Shqipërisë, si një nga miqtë e mëdhenj të shqiptarëve, disa minuta pas zyrtarizmit të hapjes së negociatave Tiranë-Bruksel.

Në prani të të gjithë deputetëve shqiptarë, Presidentit të Republikës dhe përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, shefi i ekzekutivit të Europës së Bashkuar, ka mbajtur një fjalim, në thelb të të cilit qëndronte kërkesa, për vendosmërinë në plotësimin e kalendarit të reformave të përcaktuara. Në mënyrë të veçantë, zoti Prodi ka theksuar bashkëpunimin në fushën e drejtësisë dhe të punëve të brendshme, çështje këto që lidhen sipas tij, me gjyqësorin dhe policinë, kontrollin e kufijve dhe emigracionit.

Romano Prodi:- “Bashkëpunimi kundër krimit të organizuar, kundër trafikut të drogës, kundër trafikut të qenieve njerëzore, riciklimi i parave të pista është një prioritet absolut për Unionin. Insistova në këtë pikë, sepse për fat të keq këto probleme janë akoma të pranishme në Shqipëri dhe së bashku duhet të marrim iniciativën, për të zgjidhur këto probleme me vendosmëri”.

Ju duhet të jeni plotësisht të vetëdijshëm, tha zoti Prodi, se afatet dhe metodat që do të zbatohen gjatë procesit të integrimit, janë në duart tuaja. Përgjegjësia është në duart tuaja, dhe kjo është fjala kyçe. Në këtë rrugë, tha Prodi, kanë shkelur të gjitha vendet e tjera të cilat do të bëhen së shpejti anëtare me të drejta të plota.

Por çfarë do të thotë personalisht për Presidentin e KE, hyrja e Shqipërisë në Europën e Bashkuar?

Romano Prodi:- “Kur Shqipëria të bëhet anëtare e BE, me të drejta të plota, për mua do të jetë një çast emocioni i thellë dhe gëzimi i madh”.

Ndërkohë, para se të mbante fjalimin në parlament, zoti Prodi është takuar me kryetarin e Kuvendit Servet Pëllumbi, ku është theksuar roli i Parlamentit në fazën e re të bashkëpunimit me BE. Zoti Prodi ka zhvilluar edhe një bisedë me kryetarin e Partisë Demokrate Genc Pollo, i cili e ka siguruar kryeministrin e Europës së Bashkuar, se kjo parti do të mbështesë reformat për nënshkrimin e MSA./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço