Pas 7 vjetësh Presidenti shqiptar i Kosovës Ibrahim Rugova mbërrin në Tiranë. Një vizitë e tejzgjatur pasi mes tij dhe politikës në Shqipëri ka pasur mëri të gjatë. Por për Presidentin Rugova Shqipëria gjithnjë ka qenë e pranishme. Pa fituar lirinë Kosova, vizitat kanë qenë më të shpeshta, u shpreh ai, por pas saj, shqiptarët e kanë vizituar më shpesh Kosovën. Takimi i parë zyrtar është bërë me homologun Alfred Moisiu, i cili e ka ftuar në Tiranë.
Presidenti Moisiu ka vlerësuar rolin e Rugovës gjatë më shumë se një dekade. Edhe një herë, ashtu si edhe në takimin me kryeadministratorin Petersen, Presidenti Moisiu u shpreh se është koha e fillimit të procesit të dhënies së kompetencave pushtetit vendor si dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira është ajo që do t’i shërbejë rritjes së standardeve.
Alfred Moisiu: “Shqipëria është e vendosur në qëndrimin e saj se zgjidhja e plotë dhe përfundimtare për Kosovën është përcaktimi i statusit të saj. Kjo çështje do të zgjidhet nga banorët e Kosovës dhe faktori ndërkombëtar. Zgjidhja e këtij statusi është jetik për forcimin e stabilitetit të rajonit dhe e kufizon hapësirën për veprim të ekstremistëve nga të dy krahët. Ne jemi kundër ndarjeve të ndryshme etnike, kantonizimit apo pranisë të strukturave paralele.”
Presidenti Rugova ka kërkuar njohjen sa më shpejt të pavarsisë së Kosovës. “Ne dimë të udhëheqim, e pranojmë rendin politik”, u shpreh Rugova.
Ibrahim Rugova: “Sa i përket zgjedhjes ne i ftojmë të gjithë të marrin pjesë. Dëshiroj të theksoj edhe këtu në Tiranë se Kosova nga 120 vende në parlament, 20 vende i ka të rezervuara për minoritetet prandaj ata, nëse marrin pjesë, do të fitojnë më shumë. Po ashtu dhe ministritë kanë dy ministri nga 10 ministri. Ndoshta jemi ndër vendet e rralla apo të vetmit në Evropë që i kemi këto beneficione për grupet etnike me qëllim që t’i integrojmë në shoqërinë dhe në shtetin e Kosovës dhe po ashtu mund të them se njohja sa më shpejt e pavarsisë së Kosovës do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës.”
Pas këtij takimi Presidenti Rugova është pritur nga kryeministri Nano ku ka ndarë të njëjtat çështje nën një flamur, zgjedhjet e Kosovës, pavarsinë e saj dhe bashkëpunime e shkëmbime në fushën e ekonomisë, kulturës etj.
Fatos Nano: “Presidenti Rugova na jep mundësinë të shkëmbejmë informacionin më të ri, me nivelin më të lartë që ai përfaqëson për të kuptuar më mirë detyrat e përbashkëta në axhendën e integrimit dhe të forcimit të sigurisë së kufijve të lëvizjeve të lira të qytetarëve, të iniciativav ekonomike që po i bashkojnë dhe shqiptarët dhe kosovarët në një treg të vetëm rajonal.”
Presidenti Rugova do të zhvillojë dhe takime të tjera gjatë dy ditëve të ardhshme me forcat politike në vend.
Fatos Nano: “Më vjen mirë që po na gjeni më mikpritës dhe më të përgatitur kësaj here.” /tvklan.al