Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli ka ndërruar jetë në moshën 65-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i tij. Ish-gazetari italian dhe politikani i qendrës së majtë ishte në gjendje të rëndë prej më shumë se dy javësh dhe kishte anuluar të gjitha aktivitetet zyrtare.
Sassoli ishte shtruar në spital në Itali muajin e kaluar për shkak të disa komplikacioneve të rënda me sistemin imunitar. Ai vdiq në orët e para të së martës në një spital në Aviano. Sassoli ishte shtruar në një spital Strasbourg në muajin Shtator si pasojë e një rasti të rëndë pneumonie. Por në muajin Nëntor ai nisi sërish detyrat e tij politike.
Gjatë këtij muaji do të votohet për të zgjedhur zëvendësuesin e Sassolit, pasi ky i fundit pati deklaruar se nuk do të rikandidonte më. Sassoli u bë President i PE-së në Korrik të 2019-s.
Roli që ai ka mbajtur konsiderohet si një nga më të rëndësishmit të jetës politike në BE. Sassoli mundi tre kandidatë të tjerë të rëndësishëm. Në vitin 2009, Sassoli u bë anëtar për herë të parë i PE-së. Sassoli ishte anëtar i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve, grupimi i dytë më i madh i parlamentit.
“Çfarë shoku dhe humbje e madhe. Jam i trishtuar thellë”, tha eurodeputeti Ismail Ertug në Twitter. Një tjetër eurodeputet reagoi në rrjetet sociale dhe tha se ky lajm e ka lënë të shokuar./tvklan.al