Presidenti Ilir Meta doli në një konferencë për shtyp herët në mëngjes për të thënë se në 30 Qershor nuk do të ketë zgjedhje, pasi dekreti i tij për ta shfuqizuar atë është në fuqi, pavarësisht vendimit të marrë një ditë më parë nga Kolegji Zgjedhor. Ligjshmërinë e dekreteve, thotë kreu i shtetit, mund ta shqyrtojë vetëm Gjykata Kushtetuese, duke mos njohur në këtë mënyrë vendimin e kolegjit që pranon 30 Qershorin si datë të zgjedhjeve, ashtu si Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, për të cilin kreu i shtetit thotë se është shndërruar në një organizatë socialiste.
“Jemi në një situatë paradoksale ku Presidenti i Republikës në zbatim të Kushtetutës ka anuluar me dekret një proces zgjedhor monist, që ishte planifikuar për t’u mbajtur më datë 30 Qershor, ndërkohë që mazhoranca dhe organizata socialiste e KQZ-së, në paligjshmëri të plotë, vijojnë “teatrin” për të zhvilluar një proces votimesh që tashmë ligjërisht nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë. Për pasojë vetëm Gjykata Kushtetuese, dhe vetëm ajo, mund të shqyrtojë vlefshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës. Ky akt është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë në Republikën e Shqipërisë. 30 qershori si datë për zgjedhje në Republikën e Shqipërisë, ka rënë, nuk ekziston më ligjërisht. Kush dëshiron të zhvillojë zgjedhje të karakterit partiak është i lirë. Presidenti nuk ndërhyn në punët e brendshme të partive, kjo duhet të jetë e qartë për ju, dhe për të gjithë brenda dhe jashtë vendit. Në Republikën e Shqipërisë, ka vetëm një institucion që vendos datën e zgjedhjeve, ky është Presidenti i Republikës”.
Vendimin e Kolegjit Zgjedhor, Presidenti Meta e sheh si truk procedurial të ndërmarrë në kushtet e shantazhit politik.
“Vendimi i djeshëm i marrë nga Kolegji Zgjedhor është një truk procedurial për të justifikuar politikisht paligjshmërinë e veprimtarisë së organizatës socialiste në KQZ-së dhe është një përpjekje e dëshpëruar për të ndërtuar një operacion propagandistik brenda dhejashtë vendit për të anatemuar indirekt vendimin e Kreut të Shtetit, por kurrsesi, ky është një operacion i dështuar pasi nuk prek aspak vlefshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës. Është e qartë se ky vendim i Kolegjit Zgjedhor, i orkestruar dhe i paralajmëruar prej kohësh, është marrë në kushtet e presionit dhe shantazhit politik të mazhorancës”.
Mesazhin per reflektim ia adreson mazhorancës, të cilën e paralajmëron edhe për përgjegjësitë që do të marrë nëse kriza do të thellohet.
“Presidenti i bën thirrje mazhorancës të tërhiqet nga thellimi në paligjshmëri dhe shantazhet ndaj institucioneve të pavarura, pasi asgjë dhe askush nuk do ta justifikojë përballë ligjit. Kush vazhdon me kokëfortësi në rrugën e paligjshmërisë, do të marrë të gjitha përgjegjësitë dhe askush nuk do ta justifikojë dot. E vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës, këmbëngul se mbetet vetëm dialogu politik dhe respektimi i ligjit nga të gjithë. Padyshim që kjo iniciativë fillon kur mazhoranca të tërhiqet nga kjo veprimtari e paligjshme.. Presidenti, nuk mund të hyjë në debate me një organizatë socialiste, demokrate, republikane. Derisa vepron si organizatë socialiste, le të vazhdojë. Do të vazhdoj të jem i qetë dhe i duruar, por duhet të keni të qartë që Presidenti i Republikës, nuk ndërhyn për të penguar zgjedhje partiake”.
Faktin se asnjë nga ambasadorët nuk është shprehur kundër 30 Qershorit si data e zgjedhjeve lokale, sipas Metës e ka një arsye.
“Unë nuk kam anuluar zgjedhjet as në Itali, as në Amerikë dhe as në Kinë. Kam anuluar zgjedhjet në Shqipëri për shkak të një krize shumë të rëndë politike, që besoj se e keni vënë re prej muajsh, me qëllim normalizimin e situatës në vend dhe njëkohësisht për të gjetur rrugën dhe datën për zgjedhje gjithëpërfshirëse. Mos prisni nga asnjë ambasador t’ju thotë këtë që po ju them unë. Sepse edhe po të bëheshin zgjedhjet më 30 Qershor, që nuk ekzistojnë më ligjërisht, pa opozitën, edhe sikur i gjithë populli opozitar që nuk do të merrte pjesë, do të dilte të duartrokiste ata që do të shkonin të votonin (pa pjesëmarrjen e opozitës), e ardhmja europiane e Shqipërisë dhe çelja e negociatave do të kishte një fat të paditur për një kohë shumë të gjatë. Se ndoshta nuk i lënë që ta thonë këtë gjë, por ua them unë, ua kam thënë dhe ambasadorëve, jua kam thënë dhe palëve: pa zgjedhje dhe jo vetëm gjithëpërfshirëse, por me standardet më të mira, të paktën se zgjedhjet e mëparshme, nuk ka çelje negociatash. Kjo është e sigurt dhe për këtë më besoni mua unë, jam esëll gjatë gjithë ditës, jo më tani në mëngjes”.
I pyetur nëse do të ndërmarrë hapa për shpërndarjen e Parlamentit pas komunikimeve shkresore me KQZ për numrin aktual të deputetëve dhe procedurat e ndjekura për dorëzimin dhe dhënien e mandateve, kreu i shtetit jep këtë përgjigje: “Presidenti i Republikës do të bëjë çdo veprim me shumë qetësi, me shumë përgjegjshmëri, dhe do t’i shërbejë gjithmonë mbrojtjes së Republikës dhe interesave të saj, shpresojmë ta bëjnë këtë të gjithë institucionet dhe të gjithë qytetarët së bashku”.
Iniciativën e shumicës për shkarkimin e tij e shpërfill dhe thotë se në atë zyrë do të jetë deri në përfundimin e mandatit 5-vjeçar, për të mos lejuar që Shqipëria të bëhet koloni e asnjë fondacioni të huaj.
“Ky institucion nuk i përket Ilir Metës. Ky institucion i përket Republikës. Ky institucion nuk do të bjerë kurrë, përkundrazi. Nga ky institucion do të fillojë ringritja e Republikës, Shqipëria nuk do të kthehet në një tirani personale të askujt dhe në asnjë koloni të asnjë fondacioni ndërkombëtar. Ky është një vend që u takon të gjithë shqiptarëve dhe bashkë do të jemi këtu deri më 24 Korrik të vitit 2022”.
Tv Klan